Një shtetase e huaj është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, pasi dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara për të shitur prona në emër të xhaxhait të saj në Kosovë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, hetimet janë zhvilluar nga Sektori për Hetime Financiare në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
E dyshuara fillimisht ishte paraqitur në polici në cilësinë e ankueses, por pas përfundimit të procedurave lidhur me rastin për të cilin kishte bërë ankesë, hetuesit e intervistuan atë si të dyshuar, në prani të avokatit mbrojtës.
“E njëjta duke përdorur dokument të falsifikuar/autorizimin të siguruar tek një noter jashtë Republikës së Kosovës, e këtë e ka arritur duke paraqitur një person të panjohur me të dhënat e xhaxhait të saj e me fotografi të tij (personit të panjohur), kinse i njëjti e kishte autorizuar që e dyshuara t’i shesë pronat e ankuesit që i ka në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas hetimeve, e dyshuara dyshohet se disa herë kishte provuar të shiste parcelat e regjistruara në emër të xhaxhait të saj, ndërsa në dy raste kishte arritur t’i shiste ato.
“Në rastin e fundit kishte arritur ta shesë një parcelë në vlerë rreth 150,000.00 euro”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
Policia ka njoftuar se veprimet hetimore janë kryer në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Pas përfundimit të intervistimit dhe dhënies së deklaratës nga e dyshuara, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e saj për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar për veprat penale “Mashtrimi”, nga neni 323, dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 395 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.








