Policia e Tiranës ka raportuar se ka arrestuar në flagrancë 33 shtetas, mes tyre edhe 6 të mitur, ndërsa 41 persona të tjerë janë proceduar penalisht pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë.
Sipas policisë, gjatë protestës janë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe automjeteve të policisë, si dhe janë dëmtuar kosha mbeturinash dhe tabela të sinjalistikës rrugore. Si pasojë e dhunës, janë dëmtuar 7 punonjës policie.
Prej 33 personave të arrestuar, 6 prej tyre janë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç. Ndërkohë, për 41 shtetas të tjerë ka nisur procedimi penal.
Sipas policisë, gjatë 7 ditëve të protestave të dhunshme janë arrestuar 271 shtetas, nga të cilët 51 me precedentë penalë në fushën e vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, prostitucionit, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, vjedhjes, mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme, goditjes/kundërshtimit/mosbindjes ndaj punonjësve të Policisë, si dhe në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor.








