Egzon Shallti është dënuar me 25-vjet burgim.
22-vjeçari u shpall fajtor për vrasjen e Auron Ferizit, 20-vjeç, të cilin e goditi me veturë në afërsi të sheshit të qytetit në Viti.
Aktgjykimin dënues ndaj të pandehurit e shpalli të martën një trup gjykues i Gjykatës Themelore në Gjilan.
Vrasja që tronditi Vitinë kishte ndodhur shtatorin e vitit të kaluar.
Shallti, asokohe 21-vjeçar, e kishte goditur me veturë viktimën 20-vjeçar dhe katër miq të tij të cilët po qëndronin në tavolinën e një kafeneje në afërsi të sheshit “Bafti Haxhiu”.
Ferizi kishte marrë lëndime të rënda nga goditja. Ishte transportuar urgjentisht për trajtim në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë atë natë, por nuk kishte arritur t’i mbijetonte plagëve. Kishte ndërruar jetë në Klinikën Intenzive.
Sipas trupit gjykues, Ferizi kishte rënë “kurban” i një mosmarrëveshjeje që i dënuari Shallti kishte me V.G., një nga miqtë e tij me të cilët ai po qëndronte në tavolinë mbrëmjen e 8 shtatorit të kaluar.
Në kohën e kryerjes së vrasjes, i akuzuari kishte aftësi esencialisht të zvogëluar mendore, sipas trupit gjykues. Kjo është konsideruar rrethanë lehtësuese nga gjykata, e cila për këtë arsye nuk i shqiptoi dënimin me burgim të përjetshëm.
“Më datë 08.09.2025 rreth orës 20.29, në sheshin ‘Bafti Haxhiu’ në rrugën “Hasan Kabashi” në Komunën e Vitisë, i pandehuri E. Sh., në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin V. G., ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. F., duke rrezikuar rëndë edhe jetën e të dëmtuarve M. A., dhe të miturit E. S., A. S. e V. G”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan për rastin.
Sipas njoftimit të Gjykatës në Gjilan ku përshkruhen detajet e tragjedisë, i pandehuri Shallti ishte duke drejtuar veturën e tij të markës ‘Opel Insignie’, nga rruga e fshatit Kabash në drejtim të Vitisë dy herë radhazi shkon deri afër tavolinës ku ishin të dëmtuarit duke iu vërsul me veturë, por nuk i godet.
Ndërsa, siç përshkruhet në njoftim, herën e tretë vie nga rruga e fshatit Kabash në drejtim të Vitisë dhe sapo sheh të dëmtuarit që ishin duke ndenjur në një tavolinë në afërsi afërsi të pllatosë në sheshin ‘’Bafti Haxhiu’’ para banesës kolektive, devijon rrugën nga shiriti i djathtë i lëvizjes në shiritin e majtë, rrit shpejtësinë e lëvizjes së veturës duke shkuar në drejtim të dëmtuarve ku me pjesën e përparme të veturës godet direkt të dëmtuarit.
“Si pasojë e kësaj të dëmtuarit V. G., A. S. dhe E. S. pësojnë lëndime të lehta trupore, ndërsa M. A. pëson lëndime të rënda trupore, ndërsa tani i ndjeri A. F., për shkak të natyrës së rëndë të dëmtimeve trupore transferohet në QKUK në Prishtinë por nuk mund t’iu mbijetoi plagëve dhe me datë 10.09.2025 ndërron jetë”, thuhet në njoftim.
Krahas dënimit me 25 vjet burgim, Gjykata ka shqiptuar ndaj Shalltit edhe “masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor”.








