Departamenti i Shtetit Amerikan ka publikuar raportin e Kosovës lidhur me problemin e trafikimit me njerëz. Në raport, Departamenti ka theksuar se Kosova nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithëse po bën përpjekje të konsideruesme për ta bërë këtë.
Raporti vëren se Qeveria ka demonstruar përpjekje në rritje në krahasim me periudhat e mëparshme prandaj Kosova mbetet në nivelin 2. Ata kanë vërejtur se Kosova nuk përmbush standardet minimale në disa fusha të rëndësishme, sidomos në rrafshin e ndjekjes penale.
Qeveria, thekson raporti, ka ndjekur penalisht më pak trafikantë të dyshuar dhe shumica e dënimeve të dhëna nga gjykatat ishin nën dënimin minimal të përcaktuar sipas ligjit të trafikimit.
Raporti:
‘Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje në krahasim me periudhën e mëparshme të raportimit; prandaj, Kosova mbeti në Nivelin 2. Këto përpjekje përfshinin dënimin e më shumë trafikantëve dhe dënimin e më shumë trafikantëve me burgim. Qeveria rriti fondet për ndihmën ndaj viktimave dhe përpjekjet për parandalimin e tyre. Qeveria kreu një vlerësim mbi zbatimin e planit kombëtar të veprimit 2024-2025 dhe zbuloi se pothuajse gjysma e objektivave ishin përmbushur.
Megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe. Qeveria ndoqi penalisht më pak trafikantë të dyshuar dhe, ndërsa gjykatat dhanë më shumë dënime me burgim, shumica e dënimeve ishin nën dënimin minimal të përcaktuar sipas ligjit të trafikimit. DASH-i vëren se autoritetet e Kosovës nuk i kanë hetuar të gjitha rastet e fëmijëve të detyruar të lypin si raste të mundshme të trafikimit me njerëz. Për shkak të procedurave të pamjaftueshme të identifikimit e atyre që detyrohen të lypin, qeveria nuk e parandaloi në mënyrë efektive penalizimin e papërshtatshëm të viktimave të mundshme vetëm për akte të paligjshme të kryera si rezultat i drejtpërdrejtë i të qenit të trafikuar. Qeveria nuk ofroi përpjekje për riintegrim dhe ndihmë tjetër afatgjatë, veçanërisht për fëmijët dhe viktimat që kërkojnë mbështetje psiko-sociale.’








