Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka lëshuar akuza të forta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisë qendrore.
Subjektin e drejtuar nga Albin Kurti, ai e ka cilësuar jo si një parti politike, por si një lloj sekti që sipas tij, përdor frikësimin dhe shantazhin për të bllokuar projektet madhore të kryeqytetit.
Gjatë një interviste i pari i Prishtinës theksoi se përpjekjet e pushtetit qendror janë të fokusuara në sabotimin e punëve në kryeqytet, duke refuzuar çdo bashkëpunim institucional.
Këta nuk janë as parti politike. Unë e kam thënë që tri vite që ky është një lloj sekti. Domethënë njëfarë mendësie e mbrapshtë që vetëm saboton, shantazhon, frikëson, e përdor frikën si një mjet të fortë për me i shti njerëzit me u bërë me ta në bazë të frikës”, ka deklaruar Rama.
Rama theksoi se në dy vitet e para të mandatit ka kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me qeverinë, duke theksuar se si kryeministri Albin Kurti, ashtu edhe ai vetë, janë të zgjedhur nga populli për t’u shërbyer qytetarëve e jo për të luftuar njëri-tjetrin.
Megjithatë, sipas tij, nga ana tjetër nuk ka pasur asnjëherë vullnet për dialog.
Kryetari i Prishtinës përmendi me emra projektet infrastrukturore që po hasin në bllokada nga niveli qendror.








