Drejtori i Prokurimit në Komunën e Vushtrrisë, Ilmi Azemi, ka njoftuar se ka deponuar padi për shpifje kundër kompanisë SH.B. Shteg Media SH.P.K. dhe Dibran Hoxhës, duke kërkuar dëmshpërblim në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Përmes një njoftimi publik, Azemi ka bërë të ditur se padinë e ka dorëzuar më 19 tetor 2026 në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri.
Sipas Azemit, padia lidhet me publikimet e datave 13 dhe 16 tetor 2026 në faqet “Shtegu”, të cilat, siç pretendon ai, kanë publikuar të pavërteta lidhur me pretendimet për “vetëdhënie të tenderëve” dhe “fatura mijëra euro”.
Azemi ka paraqitur edhe dy argumente në mbështetje të qëndrimit të tij.
Ai pretendon se vendimi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me numër AKK-03-2181-14, i datës 5 gusht 2014, e ka mbyllur rastin dhe ka konstatuar se nuk ka konflikt interesi.
Po ashtu, Azemi ka deklaruar se fatura e përmendur në publikime nuk është në emrin e tij dhe se nuk bëhet fjalë për një faturë prej mijëra eurosh.
“E vërteta mbrohet me fakte – Gjykata vendos. Drejtësia do ta thotë fjalën e vet”, ka shkruar Azemi në njoftimin e tij.
Çështja pritet të trajtohet nga organet e drejtësisë, të cilat do të vendosin lidhur me pretendimet e palëve.









