Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës së presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në Kosovë, do të ndërmerren masa të sigurisë dhe do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore.
Sipas njoftimit të policisë, vizita do të përfshijë edhe rajonin e Pejës, ndërsa eskorta pritet të hyjë në Kosovë përmes pikës kufitare Kullë–Pejë.
Për të mundësuar lëvizjen e eskortës dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare, policia bën të ditur se, sipas nevojës, do të ndërpresë përkohësisht qarkullimin në disa segmente rrugore, në intervale të shkurtra kohore.
Gjatë kësaj periudhe, mund të ketë edhe devijim të trafikut në rrugë alternative.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë gjatë zhvillimit të vizitës.








