Një 16-vjeçar që po merr pjesë në protestat kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka rrëfyer arsyet pse ka vendosur të dalë në rrugë, duke thënë se kërkon një të ardhme më të mirë për veten dhe për të rinjtë e tjerë.
Gjimnazisti tha se preket emocionalisht kur kujton bashkëmoshatarët e tij që, sipas tij, janë rrahur dhe arrestuar gjatë protestave.
“Më mbushen sytë me lot, kur kujtoj jo vetëm unë, por të gjithë ata që janë rrahur dhe janë arrestuar, kanë nëna në shtëpi që i presin. Unë nuk jam kriminel, as këta që janë rrahur. Janë të rinj që kërkojnë të drejtat tona. Për një të ardhme sa më të mirë për popullin tonë”, u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje autoriteteve që t’i lejojnë të rinjtë të protestojnë, duke kërkuar largimin e Ramës nga pushteti.
“Unë jam gjimnazist, po kërkoj për të ardhmen time, dua një të ardhme sa më të mirë”, tha 16-vjeçari.
Ai tregoi se ka vendosur të marrë pjesë në protesta edhe pse, sipas tij, përballet me rrezikun e arrestimit dhe dhunës policore.
“Jam 16 vjeç, rrezikoj jetën ditë për ditë për t’u rrahur nga policët dhe për t’u arrestuar, vetëm për të dalë në protestë për të hequr Ramën”, deklaroi ai.
Gjimnazisti tha se nuk dëshiron që të rinjtë të detyrohen të largohen nga Shqipëria për shkak të situatës në vend.
“Nuk dua të jem më në këtë vend, nuk dua të ikë më njeri nga ky vend për fajin e Edi Ramës. Nuk kanë faj të rinjtë që largohen nga Shqipëria”, u shpreh ai.
16-vjeçari paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë, duke theksuar se pjesëmarrësit synojnë të protestojnë paqësisht.
“Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm proteste, nuk duam të na rrahin, ne nuk jemi të tillë që të mos tregohemi agresivë. Kemi bërë pesë muaj protestë paqësore, nuk i mjaftonte, nuk jep njeri dorëheqjen”, tha ai.
Ai sqaroi se vetë nuk ishte dhunuar, por pretendoi se disa nga shokët e tij ishin rrahur dhe arrestuar. Sipas tij, të rinjtë e ndaluar ishin mbajtur në rajonet policore më gjatë sesa duhej dhe ishin marrë në pyetje tej mase.
“Unë nuk jam dhunuar, janë dhunuar shokët e mi, janë arrestuar. Janë mbajtur më shumë se ç’duhet në rajon, janë pyetur më shumë se ç’duhet, janë thjesht minorenë”, deklaroi gjimnazisti.
Në fund, ai tregoi se prindërit fillimisht nuk kishin qenë dakord me pjesëmarrjen e tij në protesta, por se kishte arritur t’i bindte duke u shpjeguar se po protestonte për të ardhmen e tij.
“Prindërit nuk ishin dakord për të dalë në protestë, por i binda që dua të dal për të ardhmen time”, përfundoi ai.








