Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, bashkëshorti i Albulena Haxhiut, ka publikuar në Facebook një varg deklaratash që nisin me “as”. Fjalia që bie më shumë në sy është kjo:
“As s’mbaj bomba me kërcënu deputetë”, shkruan Krasniqi.
Adresa nuk është e vështirë të gjendet. Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, më 14 tetor, Daut Haradinaj pretendoi se natën e 6 tetorit shumë protestues ishin të armatosur dhe kishin bomba. Ai tha se i kishte parë me sytë e vet. Sipas tij, deputetët nuk do të dilnin dot nga Kuvendi pa gjakderdhje po të mos i miratonin ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Në të njëjtën intervistë, kryeministrin Albin Kurti e quajti “frikacak” që votoi “prej tutës”.
Haradinaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, nuk e pa protestën nga larg. Ai iu bashkua vetë protestuesve para Kuvendit dhe kërkoi nga atje miratimin e ligjit. Kështu, ai flet për bomba në një turmë ku qëndronte edhe vetë, dhe e përdor këtë si argument politik kundër kundërshtarëve.
Lind një pyetje që Haradinaj ende nuk e ka sqaruar: nëse i pa bombat me sytë e vet, pse foli për to vetëm më shumë se një javë më vonë, në një studio televizive?
Deklarata e tij ka nxitur edhe reagime të tjera. Analisti Saim Tahiraj ka pyetur pse institucionet e sigurisë nuk reaguan, nëse Kuvendi ishte vërtet i rrethuar nga njerëz të armatosur. Salih Zyba ka shkuar më tej: ka aluduar se Haradinaj kishte plan për gjakderdhje atë natë dhe ka kërkuar që Prokuroria të veprojë.
Nuk është hera e parë që Krasniqi i drejtohet Haradinajt. Në një reagim të mëparshëm, ai e lidhi deklaratën për bombat me Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme. Aty përmendi me emër Daut Haradinajn dhe Sami Lushtakun, kryetarin e Skenderajt dhe ish-komandant të UÇK-së në Drenicë. Krasniqi shkroi se kur ata të arrestohen, “atëherë këtij vendi ka me i ardh era SHTET”. Lushtaku është shpallur i pafajshëm nga gjykatat në proceset e zhvilluara ndaj tij.
Postimi i ri vazhdon në të njëjtin ton:
“Unë nuk kam blloqe parash në bojler, as banda në terren, as pasuri të fituara përmes krimit, as aksione te mafia e ndërtimit, as të hyra nga fajdet dhe haraqi”, shkruan ai.
Krasniqi shkruan më tej se nuk ka falur territor, nuk është takuar me Milan Radojçiqin dhe nuk ka mbështetur atë që ai e quan “gjykatë anti UÇK”. Ai përmend edhe uzurpimin e shtëpive në Dragodan, “blerjen” e mëhallëve në Marigonë, “53 milion” të vjedhura në një rrugë, si dhe kontrollin mbi mediat:
“As s’kam kontroll në media për të ndalë apo paguar lajme”, shkruan ai.
Postimi përmbyllet me një mesazh sfidues:
“POR e kam të vërtetën në anën time, jetoj me nderë dhe ndërgjegje të pastër me rrugën e drejtë dhe të qartë. Nuk na frikësoni dhe as nuk na zbrapsni! Frikën e kemi mposhtë kur e kemi vra dekën!”
Deri në publikimin e këtij lajmi, Daut Haradinaj nuk i ka reaguar postimit të Krasniqit.
Postimi i plotë i Alban Krasniqit:
Unë nuk kam blloqe parash në bojler,
as banda ne terren,
as pasuri té fituara permes krimit,
as aksione te mafia e ndertimit,
as te hyra nga fajdet dhe haraqi
as kujt shuplake si kam ra, e lere ma me vra,
as skam fale territor,
as sjam taku me Radojçiqin,
as skam mbështetë gjykatë anti UÇK,
as smbaj bomba me kërcënu deputetë,
as skam vjedh 53 milion në një rrugë,
as skam uzurpu shpi në Dragodan
as skam “ble” mahallë n Marigonë,
as skam ‘uzurpu’ tokë permes privatizimit,
as si kam kthy kujt vlla kundër votrës
as skam qu shokë në gojë të armikut as sjam mbi ligjin
as skam kontroll në media për të ndalë apo paguar lajme.
as…
POR e kam të vërtetën në anën time, jetoj me nderë dhe ndërgjegje të pastër me rrugën e drejtë dhe të qartë.
Nuk na frikesoni dhe as nuk na zbrapsni!
Friken e kemi mposhte kur e kemi vra deken!








