Shefqet Mani, një i ashtuquajtur gazetar nga Maqedonia e Veriut, ka shpërndarë një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI), të publikuar si deklaratë të ish-deputetit Xhavit Haliti, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në videon false me AI, Haliti kinse bën thirrje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që gjuha shqipe dhe ajo serbe të jenë të barabarta në Kosovë dhe që “alfabeti cirilik të jetë në gjithë territorin e Kosovës”. Publiku pyetet se “si e vlerësoni” deklaratën e montuar me AI, që i atribuohet Halitit.
Kujtim Kërveshi, avokat i Halitit, tha se do t’i përgjigjen këtyre montimeve, duke theksuar rrezikun për pasojat që mund të sjell një video e tillë.
“Shihni, ku kemi arritur: Video është e MONTUAR nga deklarimi i z Haliti duke ju referuar marreveshjes per 4 pikat e Grupit te Kontaktit! nje gazetar prodhon nje video false, e aty, z Haliti kercenohet me jete ne komentet qe pasojne e per keto kercenime, tani i del pune policise! Ketyre njerezve duhet me ju pergjigje secili qe vendoset para nje kercenimi te tille! Ky eshte nje montim qe vendos z Haliti para nje rreziku serioz dhe te vertete, duke ja shtrenberuar deklarimin, per cka nga kercenimet ne komente e kuptoni pasojen tashme, kercenimet me jete ndaj z Haliti! Shihni komentet dhe cka ka prodhuar kjo video e montuar!”, shkruan ai në një postim në Facebook.
“Deklarimin e sakte te z. Haliti po e vendos ne koment! Pra, ne koment eshte deklarimi, e ne link eshte “prodhimi”-montimi! Ne cilësinë e avokatit te z Haliti, me ka nxjerr edhe mua pak pune, por do ti pergjigjemi ketyre montimeve me pergjegjesi dhe profesionalizem!”, shtoi ai.








