Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë,Shaip Kamberi ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili e cilësoi atë si “më të keqin” ndër shqiptarët, pas bashkimit të partive shqiptare në Luginën e Preshevës.
Në një postim publik, Kamberi ka renditur kërkesat e tij për të drejtat e shqiptarëve, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia, përfaqësimin proporcional dhe ballafaqimin me krimet e luftës.
Ai ka theksuar se bashkimi politik i shqiptarëve nuk është kundër askujt, por synon përfaqësimin më të mirë të qytetarëve.
“Prandaj, në vend që të më quajë ‘më të keqin’, presidenti mund të përgjigjet konkretisht: cila nga kërkesat e mia është antikushtetuese, cila është antidemokratike dhe cila është antievropiane?”, ka shkruar Kamberi.
Në fund të reagimit, ai ka theksuar se kërkon barazi dhe respekt për të drejtat e shqiptarëve, pa ua mohuar ato të tjerëve.
“Nëse kjo është arsyeja pse unë jam ‘më i keqi’, atëherë OK, le të mbetem më i keqi. Nuk më duhen lavdatat e tij, por le të flasim për kërkesat konkrete dhe jo me etiketime”, ka përfunduar Kamberi.








