Një përplasje e ashpër është zhvilluar mes gazetarëve Lirim Mehmetaj dhe Valon Syla, pas debatit për ligjin e propozuar nga PDK-ja për ndryshimet në Gjykatën Speciale.
Syla e ka quajtur Mehmetajn “Komandant Tigri”, ndërsa Mehmetaj i është kundërpërgjigjur me fyerjen “Valon Syla, o gllup”.
Përplasja mes tyre lidhet me qëndrimet ndaj UÇK-së dhe protestave “Liria ka Emër”. Pikënisje e polemikës u bë një shkrim i Mehmetajt të enjten në mëngjes, në të cilin ai ka pretenduar se ligji i propozuar nga PDK-ja për Specialen është antikushtetues dhe se dikush e ka bërë këtë “qëllimshëm”, ndërsa Syla e ka akuzuar atë se po përpiqet të flasë në emër të UÇK-së.
Në replika kanë përfshirë edhe familjet e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, si dhe akuza personale për njëri-tjetrin.
Polemika nisi me një shkrim të Mehmetajt, në të cilin ai e cilësoi si “tradhti” mbështetjen për një ligj që, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën.
“Tradhetia Ka Emer… Tashmë është e qartë se Ligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për Gjykatën Speciale është në shkelje të plotë të Kushtetutës së Kosovës”, shkroi Mehmetaj.
Ai pretendoi se ligji do të rrëzohej nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale.
“Shkelja eshte aq e qarte sa dikush e ka bere qellimshem”, shkroi ai.
Syla iu kundërpërgjigj duke e akuzuar Mehmetajn për qëndrim kontradiktor ndaj UÇK-së.
“Nuk mundesh të jesh kundër Ligjit për Gjykatë Speciale, dhe pro UÇK’së qysh po mundohen me bë koxha disa analista e komentatorë”, shkroi Syla.
Ai iu referua drejtpërdrejt Mehmetajt.
“Si Çlirim Mehmetaj qe deri dje ti nxjerrke syte për UÇK’në dhe tash e shajnë edhe Ligjin edhe Protesten Liria ka Emër, kishe qenka edhe tradhëti”, shkroi Syla.
Në një pjesë tjetër, Syla përmendi familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po gjykohen në Hagë.
“Famijet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi në Hagë i kanë kanalet e tyre dhe pjestarët e familjeve qe duhet ti pyesni a eshte Ligji në Rregull, dhe kur e merrni rolin e zedhënësit”, shkroi ai.
Mehmetaj reagoi ashpër.
“Valon Syla o gllup, ngo këtu…”, shkroi ai. “Unë kam lidhje organike me UÇK-në për shkak të babit, axhës e dajës (babi veteran, axha e daja dëshmorë), por unë ish-krerët e UÇK-së në Hagë nuk i mbroj se e kam këtë lidhje, por se procesi në Hagë është i padrejtë”.
Ai përsëriti pretendimin se ligji i propozuar nga PDK-ja është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Shkelja është aq e qartë sa dikush e ka bërë qëllimshëm. Kjo nuk është bërë veç nga padija, por edhe nga dashakeqësia”, shkroi ai.
Syla iu kundërpërgjigj sërish, këtë herë duke e quajtur Mehmetajn “Komandant Tigri”.
“Ngo knej Lirim Mehmetaj se masi na ka çliru UÇK dhe NATO ke dalë ti me na çliru edhe një herë. Për këtë të them Çlirim Mehmetaj”, shkroi Syla.
“Ti flet si Komandant Tigri veç i portalit e jo i luftës”, shtoi ai.
Syla e akuzoi Mehmetajn se po flet në emër të UÇK-së dhe e pyeti nëse familjet e tjera të veteranëve dhe ish-pjesëtarëve të saj janë gjallë.
“Nuk eshte kjo çështje kush eshte familja jote. Po ne emer të familjes tende ki drejt me fol, por jo ne emer të UÇK’se”, shkroi ai.
Në fund, Syla e akuzoi Mehmetajn se po përpiqet të marrë rolin e zëdhënësit edhe për ata që nuk e kanë mandatuar.
“Nuk presim nga ti me na kallxu çka me bo e sa dimë e sa jemi gllupa, sepse vec gllupat flasin pa i vet kerkush, e pa ju jep mandat askush”, shkroi Syla.
Ai e mbylli replikën duke thënë se e ndjek këtë çështje prej vitesh dhe se nuk pranon që Mehmetaj të flasë në emër të tij apo të të tjerëve.








