Gati 50 persona janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar të trafikimit të drogës, me pjesëtarë nga Ballkani Perëndimor, i cili dyshohet se është i lidhur me vrasje, rrëmbime dhe sulme me granata në disa vende të Evropës.
Operacioni, i mbështetur nga Europol, u zhvillua më 6 tetor në Slloveni, Spanjë dhe Kroaci, pas një hetimi disa-vjeçar ndaj grupit kriminal.
Policia kontrolloi 42 prona në Slloveni dhe Spanjë, ndërsa arrestimet u koordinuan në kohë reale nga një qendër e mbështetur nga Europol në Lubjanë.
Në Slloveni u arrestuan 34 persona, ndërsa nga një i dyshuar u arrestua në Spanjë dhe Kroaci. 11 persona të tjerë ishin arrestuar më herët gjatë hetimit.
Gjatë aksionit u sekuestruan 66 kilogramë drogë, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë, si dhe armë zjarri, para dhe bizhuteri.
Sipas hetuesve, grupi dyshohet se fshihte sasi të mëdha droge brenda transportit të ligjshëm tregtar, duke përdorur kamionë, furgonë dhe vetura. Kur ngarkesat humbnin ose kapeshin nga autoritetet, anëtarët e grupit dhe familjarët e tyre dyshohet se përballeshin me hakmarrje të dhunshme.
Hetimi ka zbuluar lidhje të dyshuara të rrjetit me disa raste të të shtënave me armë, vrasje dhe tentativa vrasjeje, ndërsa një anëtar i grupit dyshohet se ishte rrëmbyer. Në disa prej sulmeve dyshohet se janë përdorur edhe mjete shpërthyese, përfshirë granata dore.
Anëtarët e rrjetit dyshohet se kanë përdorur platforma të enkriptuara komunikimi, përfshirë SKY ECC dhe CryptCom, për të koordinuar aktivitetet kriminale dhe për t’iu shmangur autoriteteve.
Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator 2026, autoritetet kanë sekuestruar 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA.
Po ashtu, janë sekuestruar 550 litra anhidrid acetik, një pararendës kimik që përdoret në prodhimin e drogës, si dhe armë dhe municion.
Komunikimet e siguruara përmes SKY ECC u kanë mundësuar hetuesve të rindërtojnë edhe transporte të tjera të dyshuara të drogës.
Sipas autoriteteve, të dyshuarit pritet të ndiqen penalisht edhe për trafikimin e rreth 2.5 tonëve kanabis, 474 kilogramëve kokainë, 104 kilogramëve heroinë, 30 kilogramëve amfetaminë, 11.6 kilogramëve MDMA, një kilogram ketaminë, një kilogram hashash, 18 mijë tableta ekstazi dhe rreth 1 mijë njësi kërpudhash psikoaktive.








