Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit i ka demantuar raportimet e mediave për kinse aksion policor me disa të arrestuar në këtë dikaster qeveritar të enjten.
Sipas një raportimi fillestar të portalit Klan Kosova, të transmetuar edhe në gazetakosova.net disa persona u arrestuan të enjten në një aksion policor në Ministrinë e Arsimit.
Por, asnjë bastisje, as aksion policor nuk është zhvilluar në MASHTI, sqaroi Ministria në një demant të lëshuar të enjten pasdite. Ministria sqaroi se lidhur me çështjen në fjalë, ka pranuar edhe konfimim zyrtar nga Policia e Kosovës.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) demanton lajmin e publikuar sot, sipas të cilit pretendohet se janë kryer bastisje në ambientet e Ministrisë. MASh sqaron se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se ky informacion është i pavërtetë dhe se në ambientet e saj nuk ka pasur bastisje”, thuhet në demant.
“Ministria kërkon nga portali Veriu.info, Indeksonline, Klan Kosova, Paparaci, Infokus dhe mediat e tjera që e kanë publikuar apo ripublikuar këtë informacion ta tërheqin lajmin e pavërtetë dhe ta publikojnë këtë demantim me të njëjtën dukshmëri që i është dhënë lajmit fillestar”.
Në komunikatën e MASHTI thuhet se Ministria e Arsimit dhe Shkencës thekson se “puna në institucion po zhvillohet normalisht dhe se të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat institucionale po realizohen sipas planifikimeve të përcaktuara”.








