Malisheva është në kërkim të trajnerit të ri pas largimit të Thomas Brdaric, ndërsa në mesin e kandidatëve për ta marrë drejtimin e skuadrës është italiani Luigi Nocentini.
Gazetari Andre Oechsner ka raportuar se 37-vjeçari është në bisedime me drejtuesit e klubit kosovar për postin e trajnerit. Sipas raportimit, Nocentini aktualisht është pa angazhim dhe palët janë në kontakt për mundësinë e bashkëpunimit.
Nocentini së fundmi ishte pjesë e stafit të FC Basel, ku mori përkohësisht drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Stephan Lichtsteinerit. Më herët, ai kishte qenë asistent i Fabio Celestinit, Ludovic Magninit dhe Lichtsteinerit.
Gjatë karrierës së tij, italiani ka punuar edhe me klube të njohura si Empoli, Genoa dhe Napoli, ndërsa ka qenë pjesë e stafit të Kombëtares së Ukrainës.








