Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini fillimisht ka uruar Justina Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës si Presidente e Kosovës.
Tutje, ai tha se koha e bllokadave ka mbaruar dhe se përgjegjësia është e Vetëvendosjes.
Ai ka paralajmëruar se Aleanca do të jetë opozitë e pakompromis.
“Oferta jonë pa asnjë kusht, ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët, njëjtë si qëndrimi jonë për Specialen dhe vota pro ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund. Sot, koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren. Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti. Nuk ka më hapësirë për arsyetime”, tha ai.








