Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka komentuar miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në seancën e së martës në Kuvendin e Kosovës.
Hamza ka thënë se Kuvendi dhe deputetët e kanë kryer përgjegjësinë e tyre, ndërsa ka vlerësuar se ligji është miratuar në mënyrë të rregullt dhe procedurale.
“Kuvendi e ka kry punën e vet, deputetët e kanë kry punën e vet. Një prej detyrave dhe përgjegjësive kryesore të Kuvendit është me aprovu ligje. Kuvendi aprovon ligje, ndërsa të cilët janë të detyruar me i zbatu, duhet me i zbatu ligjet”, ka thënë Hamza.
Ai ka theksuar se, sipas PDK-së, ligji është miratuar në përputhje me procedurat.
“Ne konsiderojmë që Kuvendi e ka aprovu ligjin në mënyrë të rregullt, procedurale dhe kam thënë që ligji është i zbatueshëm për të gjithë”, është shprehur ai.
Hamza ka thënë se Kuvendi ka kompetenca edhe për ndryshimin e Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, duke iu referuar kompetencave të tij ligjvënëse.
Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara u bë të martën, ndërsa pak më pas Kuvendi zgjodhi Justina Shiroka-Pulën Presidente të Kosovës.








