Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka refuzuar propozimin e tyre për ta mbështetur kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Kurti tha se, përveç Sejdiut, janë edhe dy emra të tjerë që Lëvizja Vetëvendosje i ka propozuar gjatë këtij viti për president – Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti.
“PDK-ja refuzoi propozimin tonë që ta mbështesim Bekim Sejdiun. Përveç tij, kemi edhe dy emra të cilët në këtë vit i kemi propozuar si kandidat për president, Glauk Konjufcën e Feride Rushitin, të cilët janë aktualë nëse ka interesim nga opozita”, tha Kurti.
Kurti tha, meqë nuk ka arritur ta takojë kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, ai duhet të deklarohet publikisht nëse i gjithë grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votimin për president.
“Meqenëse nuk po arrij ta takoj kryetarin Bedri Hamza, le të dalë publikisht të zotohet se i gjithë grupi parlamentar merr pjesë me votë për president dhe ne po ia votojmë leximin e dytë, nëse ata e shohin që s’ka problem ligjor. Pra, ia votojmë ligjin dhe pastaj votimin për president”, deklaroi Kurti.








