Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në një konferencë për media ka kritikuar situatën politike në vend dhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se Kosova po përballet me krizë institucionale dhe se, sipas tij, partia fituese e zgjedhjeve nuk ka punuar për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Edhe një herë, duhet me ju drejtu prej selisë së Aleancës, për shkak se në Kosovë kurrsesi me gjetë rrugën për stabilitet, fatkeqësisht. Sot më duhet me ju thënë që në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi dëgju prej kryeministrit Kurti, përmes një deklarate para disa dite, jashtë afatit kushtetues, për me tregu qysh e gjithë bota ka faj për ku kemi ardhur”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka thënë se qytetarëve duhet t’u shpjegohet, sipas tij, se çfarë ka ndodhur që nga zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Për këtë arsye unë duhet me i tregu qytetarëve të Kosovës se çka ka ndodhë prej datës 7 qershor kur janë mbajtë zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë. Të dashur qytetarë, me datën 8 qershor ka qenë e qartë me gabim shumë të vogël ndoshta përqindjes se cila parti sa mandate i ka marrë”, tha ai.
Sipas Gjinit, partia fituese e zgjedhjeve ka pasur mundësi që menjëherë pas zgjedhjeve të nisë bisedimet për konsolidimin e institucioneve.
“Çka do të thotë me 8 qershor, ditën e hënë, sikur të kesh pasur vullnet, partia që ka dalë fituese e zgjedhjeve të fundit ka pasur mundësi me i nisë bisedat për me i konsolidu institucionet: me zgjedhë presidentin, me zgjedhë qeverinë, me kriju shumicë të nevojshme parlamentare. Mirëpo nuk e ka bërë. Fillimisht kanë thënë dojmë me pritë certifikimin e rezultateve. E kemi pritë certifikimin e rezultateve”, u shpreh Gjini.
Ai ka kritikuar edhe kohën e kaluar deri në ndërmarrjen e hapave për konstituimin e institucioneve.
“Certifikimi i rezultateve ka ndodhë me datën 8 korrik të vitit 2026, që do të thotë para hiç më pak se tre muaj. Në ndërkohë ky po ky kryeministër ka kaluar kohën në Greqi, ka kaluar kohën nëpër konferenca, nuk është marrë fare me temën kruciale të Kosovës e që ka qenë me gjetë zgjidhje për me e zgjedhë presidentin”, tha kryetari i Aleancës.
Gjini ka pretenduar se seanca për konstituimin e Kuvendit është thirrur me vonesë.
“Krejt vonë, 30 ditë pas afatit që e ka caktuar Gjykata Kushtetuese e që i është konfirmuar edhe në aktgjykimin e fundit, edhe 30 ditë më vonë se 30 ditëshi që ia ka caktuar vetes si afat, e ka thirrë seancën për konstituimin e Kuvendit”, deklaroi ai.
Duke folur për projektligjin që lidhet me Gjykatën Speciale, Gjini ka thënë se procedimi i tij është bërë në ditët e fundit.
“Ndërkohë me datën 23 shtator është dërguar në qeveri projektligji për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Nuk ka kaluar fare kurrgjë për të gjitha ato ditë deri më datën 2 tetor, kur qeveria e ka aprovuar në mbledhjen e vet projektligjin për Gjykatën Speciale, e tri ditë më vonë, që do të thotë dje, duke e ditur që tri ditë i duhen për lexim të dytë, dje e ka nxjerrë vendimin për Gjykatën Speciale në votim në Kuvend”, tha Gjini.
Ai ka akuzuar partinë fituese të zgjedhjeve se, sipas tij, gjatë gjithë kësaj periudhe ka luajtur me kohën dhe ka fajësuar të tjerët për situatën e krijuar.
“Do të thotë që prej datës 8 qershor kur janë kryer zgjedhjet, ne kemi pasur një parti që i ka fituar zgjedhjet e kaluara, e cila krejt kohën e ka luajtur lojën e fajësimit edhe të blerjes së kohës për me mbërrijtur deri në këtë ditë, në ditët e fundit, në orët e fundit tashmë, para se vendi me shku në zgjedhje”, tha ai.
Gjini ka theksuar se Aleanca, sipas tij, ka mbajtur një qëndrim parimor dhe konstruktiv dhe se nuk ka kërkuar përfitime për vete.
“Ne e dimë që Aleanca, ju e dini që Aleanca e ka mbajtur qëndrimin e vet parimor, konstruktiv. Kemi treguar cila është rruga për Kosovën, cila është rruga për ne. Nuk kemi koketuar, nuk kemi lypur kurrgjë për vete. Asnjë milimetër nuk kemi menduar për vete, kemi menduar qysh me i dhanë Kosovës rrugë edhe zgjidhje”, u shpreh Gjini.
Ai ka thënë se Aleanca që në fillim, sipas tij, ka vërejtur mungesë vullneti për të arritur një marrëveshje.
“Mirëpo, që në fillim e kemi parë që ky nuk ka qenë qëllimi i partisë që i ka fituar zgjedhjet e kaluara. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë që sikur ta kishin pasur seriozisht, kishin biseduar me ne për ofertën që e kemi dhanë. Fakti që nuk i ka interesuar fare me biseduar për atë çka është e ka qenë një test për seriozitetin e tyre për me i gjetë vendit zgjidhje e mos me i çuar qytetarët tanë edhe një herë në zgjedhje”, shtoi Gjini.








