Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar para mediave lidhur me situatën politike në vend dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Kurti tha se çështja e katër të dënuarve në Hagë dhe zgjedhja e presidentit janë tema që, sipas tij, i tejkalojnë partitë politike.
“Të dyja janë tema që i tejkalojnë partitë. Për katër të dënuarit, ne besojmë se duhet të ketë korrigjim në Apel, ndërsa, në anën tjetër, kemi nevojë për një strategji shtetërore e kombëtare”, tha Kurti.
Ai paralajmëroi se moszgjedhja e presidentit e çon vendin drejt zgjedhjeve dhe kufizon mundësinë për t’u marrë me çështjen e Apelit dhe strategjinë shtetërore.
“Moszgjedhja e Presidentit na çon drejtpërdrejt në zgjedhje. Por jo vetëm që na çon në zgjedhje, ajo na kufizon edhe mundësinë që të merremi me strategjinë shtetërore dhe me çështjen e Apelit”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, çështja e Apelit duhet të trajtohet gjatë këtij muaji.
“Nuk do të mund të merremi me çështjen e Apelit vitin e ardhshëm; duhet të merremi me të këtë muaj”, tha ai.
Kryeministri e cilësoi zgjedhjen e presidentit si çështje emergjente, duke thënë se në mungesë të presidentit, Kosova rrezikon të mbetet për një kohë të gjatë në zgjedhje dhe pa institucione funksionale.
“Pa President, sot Kosova rrezikon të mbetet për muaj të tërë në zgjedhje dhe pa institucione funksionale. Prandaj, çështja e zgjedhjes së Presidentit është emergjente”, tha ai.








