Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se qëllimi i Partisë Demokratike të Kosovës është dërgimi i vendit në zgjedhje.
Dugolli ka publikuar një video të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, teksa flet për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, duke e lidhur këtë me zhvillimet e fundit politike.
“E thënë troç dhe pa lajka nga kryetari i PDK-së, z. Hamza: ‘Në zgjedhje po shkojmë’”, ka shkruar Dugolli.
Sipas tij, që nga fillimi synimi i PDK-së ka qenë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Pra, që nga fillimi, ky duket të ketë qenë qëllimi. Nuk është as Haga, as ligji, as dënimet e shqiptuara atje, e aq më pak presidenti. Synimi është që vendi të dërgohet sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka shkruar ai.
Dugolli ka pretenduar se PDK-ja synon që përmes zgjedhjeve të ardhshme të sfidojë sërish Lëvizjen Vetëvendosje.
“Besoj se këtë tashmë po e shohin edhe qytetarët”, ka shkruar ai.








