Sipas të dhënave nga QKUK, 23 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas protestës së mbrëmshme.
Ndër ta, 15 vetë janë trajtuar si pasojë e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës dhe sprejit, duke shfaqur simptoma të irritimit të syve dhe rrugëve të frymëmarrjes, si djegie, lotim dhe kollë.
“Katër persona kanë marrë trajtim për lëndime të shkaktuara nga mjete të forta, kryesisht dëmtime të lehta të indeve të buta, plagë, kontuzione dhe lëndime të tjera traumatike. Ndërsa katër persona të tjerë janë paraqitur me lëndime ose shqetësime të tjera, përfshirë rrëzime, ndrydhje dhe shqetësime të përgjithshme. Në mesin e 23 personave të trajtuar kanë qenë edhe tre zyrtarë policorë të lënduar”, ka thënë drejtori i Emergjencës, Naser Syla.
QKUK ka bërë të ditur se të gjithë pacientët, pas vlerësimit diagnostik, marrjes së trajtimit të nevojshëm dhe stabilizimit të gjendjes, janë liruar për në shtëpi.








