Dy prona të biznesmenit Ramiz Kelmendi në Pejë janë sulmuar gjatë mëngjesit të së hënës me mjete ndezëse, të dyshuara si Molotov. Nga sulmet nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve.
Rasti i parë është raportuar të hënën rreth orës 04:50 në fshatin Zahaq të Pejës. Sipas dëshmitarit, nga një veturë në lëvizje janë hedhur mjete ndezëse, pas së cilës personat e dyshuar janë larguar në drejtim të panjohur.
Një tjetër rast është raportuar rreth orës 08:55 në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku mjete ndezëse janë hedhur në oborrin e një shtëpie private.
Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka konfirmuar se sulmet kanë qenë të drejtuara ndaj një prej bizneseve të tij dhe shtëpisë së tij.
“Po, sulmi ka ndodhur në drejtim të një nga bizneseve të mia dhe në drejtim të shtëpisë. Sulmi ka shkaktuar vetëm dëme, nuk ka persona të lënduar”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka bërë të ditur se sulmi ka ndodhur gjatë natës dhe se rasti është vërejtur nga sigurimi i objektit, i cili më pas ka njoftuar Policinë.
“Institucioni i sigurisë është duke e hetuar rastin dhe presim nga ta që të kryejnë me profesionalitet. Unë nuk kam dyshim se kush kanë qenë sulmuesit. Sulmi ka ndodhur natën. Sigurimi i objektit e ka vërejtur dhe e kanë lajmëruar policinë. Sulmi ka ndodhur me Molotov”, ka deklaruar Kelmendi.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar dy rastet.
“Sot, rreth orës 04:50, Policia është njoftuar për një rast i cili ka ndodhur në fshatin Zahaq të Pejës. Sipas dëshmitarit, nga një veturë në lëvizje janë hedhur mjete ndezëse (Molotov), pas së cilës personat e dyshuar janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se rasti i dytë është raportuar rreth orës 08:55 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Pejë.
“Policia është njoftuar për një rast tjetër në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Pejë, ku në oborrin e një shtëpie private janë hedhur mjete ndezëse (Molotov)”, thuhet më tej në njoftim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ndërsa është përfshirë edhe Prokuroria.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.
“Policia e Kosovës me të gjitha njësitet relevante ka dalë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit. Janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e personave që kanë kryer këtë vepër penale. Janë duke u zhvilluar hetime intensive për këtë çështje penale”, ka deklaruar Nikçi.








