Kosova në “orët e fundit”: Sonte skadon afati për zgjedhjen e Presidentit

Kosovës i skadon sonte afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje politike për emrin që do të mund të marrë votat e nevojshme në Kuvend.

Afati 60-ditor, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Deri në skadimin e tij, Kuvendi duhet ta përmbyllë procedurën e zgjedhjes së kreut të shtetit.

Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme. Sipas afateve kushtetuese, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, përkatësisht deri më 15 nëntor.

Por, përkundër takimeve dhe diskutimeve të zhvilluara gjatë javëve të fundit, partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje për Presidentin.

Afati 60-ditor nisi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila, pas shqyrtimit të kërkesave të deputetëve të PDK-së, konstatoi se Kuvendi nuk ishte konstituuar brenda afatit kushtetues. Sipas këtij vendimi, afati për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 8 gusht dhe nga ajo datë filloi të llogaritej afati për zgjedhjen e Presidentit.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, seanca konstituive e Kuvendit ishte hapur më 6 gusht, por procesi u ndërpre dy herë. Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke insistuar se fillimisht duhej të arrihej një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

Edhe më 8 gusht, kur skadoi afati për konstituimin e Kuvendit, seanca u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari.

Kuvendi arriti të konstituohej vetëm më 13 shtator, duke e lënë në fuqi afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit.

Gjatë kësaj periudhe pati edhe përpjekje për një marrëveshje politike. Pas takimeve ndërmjet liderëve, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bënë të ditur se kishin arritur pajtim për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President.


Por kjo marrëveshje nuk mori përkrahjen e gjashtë deputetëve të LDK-së dhe Sejdiu më pas u tërhoq nga gara.

As takimet e tjera ndërmjet liderëve të partive nuk sollën një zgjidhje përfundimtare.

Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar që fillimisht të përmbyllet procesi i ndryshimit të Ligjit për Specialen në të dyja leximet dhe më pas partitë të ulen për të gjetur një kandidat konsensual për President.

Qëndrimi i Kurtit ka qenë që ndryshimet në Ligjin për Specialen të kalojnë në lexim të parë dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e Presidentit.

Të hënën, Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës u miratua në lexim të parë, ndërsa marrëveshja për Presidentin ende nuk është arritur.

Kështu, tashmë gjithçka mbetet në orët e fundit të afatit kushtetues: ose partitë arrijnë një marrëveshje dhe Kuvendi e zgjedh Presidentin, ose vendi hyn në një tjetër proces zgjedhor.

Nëse shpallen zgjedhjet e reja, ato do të ishin të katërtat brenda një periudhe prej dy vitesh, pas krizës politike që pasoi zgjedhjet e 7 qershorit dhe pamundësisë së partive për të gjetur një zgjidhje për postin e Presidentit.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit