Fundjava në Kosovë pritet të sjellë mot të ngrohtë dhe kryesisht me diell, me temperatura maksimale që të dielën pritet të arrijnë deri në 24°C.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të shtunën moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta.
“Vranësira më të theksuara mund të paraqiten herë pas here përreth relievit malor. Nuk parashihen reshje. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1°C deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga 18°C deri në 22°C. Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi 1–4m/s”, tha IHMK-ja në njoftim.
Ndërkaq, të dielën pritet të mbizotërojë mot me diell dhe vranësira të ndryshueshme, ndërsa nuk parashihen reshje.
“Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0°C deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga 19°C deri në 24°C. Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi 1–3 m/s”, thotë IHMK-ja.
Sipas Institutit, kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të mira dhe të përshtatshme për aktivitetet në ambient të hapur.
“Rritja e temperaturave gjatë ditës do të sjellë kushte më të favorshme termike, ndërsa në orët e mëngjesit do të mbizotërojnë temperatura relativisht të ulëta”, u theksua në njoftim.








