Qeveria e Kosovës mori vendim mbrëmjen e sotme për të dërguar përgjigjen ndaj kërkesës së Kuvendit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, i cili theksoi se UÇK-ja duhet të na bashkojë.
“Siç e kam thënë përherë, UÇK-ja duhet të na bashkojë! Prandaj, çdo çështje që lidhet me të, duhet të trajtohet me përgjegjësi, sinqeritet dhe korrektësi maksimale”.
“Pa kalkulime politike. Pa interesa të ngushta. Pa përçarje. Në çështjet që prekin themelet e lirisë sonë, duhet të jemi bashkë”, tha Tahiri në një postim në Facebook.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten opinionin lidhur me iniciativën e PDK-së për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Vendimi është marrë në mbledhjen e katërt elektronike të Qeverisë, të mbajtur më 2 tetor 2026, dhe në të thuhet se nuk ka pengesa ligjore që propozim-ndryshimi të procedohet në Kuvend.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Vendimi tash i përcillet Kuvendit të Kosovës në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kësaj nisme legjislative.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.








