Vetëm 28 ditë pasi doli para mediave për të prezantuar një nga aktakuzat më të rëndësishme për krimet e luftës në Kosovë, atë për krimet e kryera në lagjen e Jasharëve në Prekaz, Blerim Isufaj është larguar nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Më 4 shtator 2026, Isufaj kishte prezantuar aktakuzën e ngritur në mungesë ndaj 35 të pandehurve, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë ngjarjeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz të Poshtëm.
Isufaj kishte theksuar rëndësinë e veçantë të rastit, duke bërë të ditur se bëhej fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit e përfshirë në aktakuzë kishin mbajtur pozita të larta komanduese në strukturat dhe njësitë speciale të policisë serbe.
Prokurori Valdet Gashi kishte bërë të ditur se hetimet kishin identifikuar 35 të pandehur dhe se, sipas provave të Prokurorisë, gjatë sulmit ishin vrarë 26 civilë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.
Por më 2 tetor, më pak se një muaj pas kësaj paraqitjeje, Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim për largimin e Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Siç raportoi ekskluzivisht Gazeta vendimi u mor me 6 vota për dhe 1 kundër. Isufaj mbetet prokuror në Prokurorinë Speciale.
KPK-ja ka deklaruar se në drejtimin e Prokurorisë Speciale janë konstatuar, ndër të tjera, keqmenaxhim, jokompetencë në ushtrimin e funksionit, dështim në përmbushjen e detyrave dhe mospërmbushje të standardeve të kërkuara të performancës.
Në vend të Isufajt, Dren Paca është caktuar ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, deri në plotësimin e pozitës sipas procedurave ligjore.
Nga prezantimi i aktakuzës për krimet në Prekaz më 4 shtator, te largimi nga drejtimi i Speciales më 2 tetor – këto dy zhvillime shënojnë më pak se një muaj në krye të kronologjisë së fundit të Blerim Isufajt.








