Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka komentuar zhvillimet politike rreth bisedimeve për çështjet institucionale, duke thënë se Aleanca nuk është pjesë e ndonjë negociimi dhe se gjashtë pikat e saj janë të qarta. Ramadani ka thënë se, sa i përket çështjes së presidentit, diskutimi tashmë është zhvendosur nga përmbajtja te forma, duke e cilësuar atë si “fotografi”.
Ramadani këto deklarata i bëri pas mbledhjes së Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku foli edhe për rolin e komisioneve parlamentare dhe nevojën për mbikëqyrje të institucioneve të sigurisë.
“Si Aleancë shpresojmë që ky mandat të vazhdojë, sepse institucionet civile dhe ato të sigurisë të kenë mbikëqyrje parlamentare është e domosdoshme. Tashmë jemi bërë gati një vit që s’ka mbikëqyrje të vazhdueshme parlamentare dhe që është me rëndësi të jashtëzakonshme. Në mbledhjen e sotme ishte të konstituohemi dhe t’i përcaktojmë fushat e veprimit, mundësitë që të vazhdojmë që institucionet e Kosovës të kenë mbikëqyrje parlamentare”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me vazhdimin e mbikëqyrjes parlamentare, duke thënë se nuk është optimist për zhvillimet e ardhshme.
“Fatkeqësisht nuk jam optimist se çka do të ndodhë për shkak të politikave edhe të qëllimeve jo të mira politike që ka pushteti aktualisht dhe si e tillë duket se do të dështojë gjithçka”, ka thënë ai.
I pyetur lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se do të nisin bisedimet me partitë politike dhe nëse Aleanca do t’i përgjigjej pozitivisht një ftese, Ramadani ka thënë se qëndrimi i AAK-së është i qartë dhe se gjashtë pikat e propozuara më herët nuk janë pjesë e ndonjë negocimi të ri.
“Tash, sa i përket bisedimeve, jeni duke i parë ato bisedimet për harmonizim, domethënë sot kemi njoftim. Ajo që është e qartë është se nga data 26 qershor Aleanca i ka propozuar 6 pikat. Pastaj, disi edhe i ka humbur kuptimi edhe diskutimit për to, kështu që Aleanca nuk është pjesë e çfarëdo lloj negociimi, sepse i kemi pasur tepër të qarta”, ka deklaruar Ramadani.
Sipas tij, çështja tashmë nuk lidhet me përmbajtjen e këtyre pikave, por me mënyrën se si do të zhvillohet procesi.
“Domethënë s’ka mundësi për përmbajtje dhe i tërë qëllimi është forma, pra është fotografia. Sa për fotografi, ne i bëjmë fotografitë me qytetarët dhe jo me këtë”, ka thënë Ramadani.








