Trupi gjykues në Gjykatën Speciale ka konstatuar se Hashim Thaçi ka dhënë kontribut të qenësishëm në zbatimin e asaj që gjykata e ka cilësuar si qëllim të përbashkët kriminal.
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, Thaçi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Drejtorisë Politike të UÇK-së, kishte rol kyç në formulimin dhe zbatimin e këtij qëllimi.
Gjykata ka thënë se Drejtoria Politike kishte kompetencë pothuajse ekskluzive për vendimet politike të UÇK-së, ndërsa Thaçi e kishte artikuluar publikisht vizionin politik të organizatës.
Në këtë kuadër, trupi gjykues ka përmendur shënjestrimin e personave të cilësuar si kolaboracionistë, krijimin e strukturave dhe organeve përkatëse, si dhe përdorimin e luftës speciale për realizimin e këtyre synimeve dhe kundër kundërshtarëve, përmes komunikatave dhe deklaratave publike.
Sipas gjykatës, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë kishin emëruar persona besnikë në pozita kyçe komanduese, me qëllim që të siguronin kontrollin mbi UÇK-në dhe zbatimin e urdhrave deri në nivelet më të ulëta të hierarkisë.
“Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Përmes deklaratave dhe komunikatave, si dhe përdorimit të luftës speciale, Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve”, ka thënë trupi gjykues.
Gjykata ka deklaruar gjithashtu se Thaçi kishte marrë pjesë personalisht në disa veprime që i ka cilësuar si krime, përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Bajicë, si dhe arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit.
Sipas trupit gjykues, Thaçi kishte dijeni edhe për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë.








