Shtetasi austriak Roman Rainer, është gjetur pa shenja jete në lumin Drin, në afërsi të Klinës, disa orë pasi ishte raportuar i zhdukur.
Rasti është raportuar në orët e para të mëngjesit, pasi një familjar kishte njoftuar Policinë se Rainer nuk ishte lajmëruar në telefon që nga dita e djeshme.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 02:35 në Stacionin Policor në Klinë, pas së cilës njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet për kërkimin e tij.
Pas disa orësh kërkime, rreth orës 10:10, personi është gjetur në lumin Drin, në afërsi të Klinës, por pa shenja jete. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, si dhe prokurori i Shtetit.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit janë në vazhdim.








