Pjesëmarrje qytetare në marshin e sotëm në kryeqytet ka nxitur edhe reagimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Përmes një mesazhi falënderues për organizatorët dhe pjesëmarrësit, ajo e cilësoi këtë tubim si pasqyrë të qartë të vullnetit dhe qëndrimit unanim të popullit të Kosovës.
“Falënderoj organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për ta shprehur paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim që në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë. Marshi i sotëm tregoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin. Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë”, ka shkruar Haxhiu.








