Në mbarë botën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot përkujtohen viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, kur Kullat Binjake u shkatërruan pasi dy aeroplanë të rrëmbyer nga terroristët e Al-Kaedas u përplasën me to.
Në mesin e viktimave që humbën jetën atë ditë ishin edhe tre shqiptarë: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj.
Ata ishin ndër shqiptarët që punonin në Qendrën Botërore të Tregtisë, të njohur gjerësisht si “Kullat Binjake”.
Çdo vit, ata përkujtohen së bashku me mijëra viktimat e tjera të asaj tragjedie.
Në Manhattan organizohet një ceremoni përkujtimore për viktimat e 11 Shtatorit. Edhe familjarët e tre shqiptarëve, si çdo vit, marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore dhe vizitojnë memorialet kushtuar të afërmve të tyre që humbën jetën më 11 shtator 2001.
Simon Dedvukaj ishte më i riu nga tre shqiptarët që humbën jetën në Manhattan. 26-vjeçari punonte në Qendrën Botërore të Tregtisë si mbikëqyrës i punëtorëve të mirëmbajtjes së Kullave Binjake.
Në New York ekziston gjithashtu “Simon M. Dedvukaj Foundation”, një fondacion që synon edukimin dhe orientimin e brezave të rinj për të bërë zgjedhjet e duhura në jetë dhe për t’u shërbyer jo vetëm vetes dhe familjeve të tyre, por edhe komunitetit ku jetojnë.
Rrok Camaj, shqiptar nga Malësia e Madhe, punonte në njërën prej Kullave Binjake, ku pastronte xhamat nga jashtë ndërtesës. 60-vjeçari ndodhej në katin e 105-të kur telefonoi djalin e tij, Vincentin, për t’i thënë lamtumirë.
Mon Gjonbalaj, 65 vjeç, shqiptar nga Kosova, kishte punuar për 30 vjet si portier në njërën prej Kullave Binjake. Ai e donte shumë punën e tij dhe kishte refuzuar të dilte në pension, edhe pse kishte arritur moshën e pensionimit.
Ndryshe, më shumë se 3,000 njerëz humbën jetën kur terroristët rrëmbyen dhe përplasën katër aeroplanë: dy prej tyre në Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, një në Pentagon në Washington dhe një tjetër në një fushë në Pensilvani.
Në mesin e viktimave ishin qytetarë të më shumë se 70 shteteve të botës.








