Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdojnë deklaratat përmbyllëse në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Mbrojtja e Bashkim Smakajt, e përfaqësuar nga avokati Jonathan Rees, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me shprehjet e përdorura nga Smakaj dhe Thaçi gjatë vizitave.
Rees tha se fjalët si “tregoi atij, thuaj atij, thjeshtësoja që të mos i përziej gjërat” nuk përbëjnë element të veprës penale, siç pretendon Prokuroria.
Sipas tij, këto udhëzime nuk kanë lidhje me cenimin e dëshmitarëve apo pengimin e hetimeve të Prokurorisë.
“Nuk ka lidhje fare ndërmjet këtyre fjalëve dhe komprometimit dhe hetimit efektiv të Prokurorisë apo sigurisë së dëshmitarëve”, deklaroi Rees, duke shtuar se udhëzime të tilla janë të zakonshme në situata të ngjashme.
Mbrojtja ka argumentuar gjithashtu se Bislim Zyrapi, për të cilin Prokuroria pretendon se është ndikuar, i ka thënë ZPS-së se nuk e ka diskutuar dëshminë e tij me Smakajn.
Rees tha se nuk ka ndonjë pengesë ligjore për takimet mes tyre, pasi Smakaj dhe Zyrapi janë miq të vjetër.
Deklaratat përmbyllëse në këtë çështje po mbahen nga 10 deri më 14 shtator 2026, ndërsa vendimi është caktuar të shpallet më 16 shtator.








