Prokurori i Specializuar, Joshua Hafetz ka vazhduar paraqitjen e argumenteve në deklaratat përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke pretenduar se Thaçi u jepte udhëzime të bashkakuzuarve lidhur me dëshmitarët.
Sipas prokurorit, të bashkakuzuarit duhej të vepronin në përputhje me atë që kërkonte Thaçi.
“Duhet të tonin e të bënin atë që donte Thaçi. Të gjitha argumentet e mbrojtjes që nga fillimi e kanë shmangur këtë realitet të thjeshtë”, tha Hafetz.
Prokurori ka pretenduar se mbrojtja po përpiqet ta shpërqendrojë gjykatën nga faktet e paraqitura në këtë çështje.
“Me fjalë të tjera, ta shpërqendronin në mënyrë të vazhdueshme gjykatën. Mbrojtja do që kjo gjykatë ta fus kokën në rërë dhe të mos shohë atë që është para syve, por nuk mund t’i fshehësh faktet në këtë çështje gjyqësore”, u shpreh prokurori.
Kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit në Hagë: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët
Hafetz ka folur edhe për incizimet e realizuara brenda Qendrës së Paraburgimit në Hagë, ku Thaçi mbahet i ndaluar. Sipas Prokurorisë, këto materiale paraqesin prova për ndërhyrje të pretenduar në dëshmitarë.
“Veprimtaria penale është incizuar brenda qendrës së paraburgimit, ku Thaçi mbahet i ndaluar konkretisht sepse vendimet e vazhdueshme gjyqësore konstatuan se ai ishte i rrezikshëm për ndërhyrjen e dëshmitarëve dhe mund të pengonte procesin gjyqësor”, tha ai.
Prokurori Joshua Hafetz ka deklaruar se janë siguruar rreth 28 orë incizime të bisedave të Thaçit, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta gjatë një periudhe katërmujore.
“28 orë incizime të z. Thaçi, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta në periudhën katërmujore, përfshirë pesë vizita ku Thaçi ka folur me të bashkakuzuarit në këtë çështje gjyqësore”, u shpreh ai.
Sipas tij, përmbajtja e këtyre incizimeve është veçanërisht rënduese për Thaçin dhe bashkakuzuarit.
“Përmbajtja e incizimeve është tronditëse për Thaçin dhe bashkë të akuzuarit. Thaçi, vizitë pas vizite, ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet t’u thonin vizitorët dëshmitarëve”, tha prokurori i ZPS-së.

Rasti për administrim të drejtësisë- kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët
Prokurori Hafetz ka pretenduar se udhëzimet kanë qenë edhe më të drejtpërdrejta kur bëhej fjalë për dëshmitarë viktima, të cilët, sipas tij, e lidhnin Thaçin me sjellje të mëparshme.
“Sa u takon dëshmitarëve viktima, ku e lidhinin zotin Thaçi me një sjellje të mëparshme, udhëzimet ishin edhe më të thjeshta: dëshmitari duhet të fshijë çdo gjurmë të përfshirjes së z. Thaçi”, tha ai.
Prokuroria po i paraqet këto pretendime në kuadër të deklaratave përfundimtare në çështjen ndaj Thaçit dhe të bashkakuzuarve.








