Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë në orët e vona të natës një të dyshuar për përfshirje në incidentin me armë zjarri të ndodhur në prill të këtij viti ndaj autosalloni në Veternik.
Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për shtetasin kosovar, Adhurim Konjufca.
Arrestimi i Konjufcës ndërlidhet me ngjarjen e mesnatës së 24/25 prillit 2026, kur drejt hapësirave të autosallonit në hyrje të Prishtinës ishte shtënë me armë zjarri. Nga të shtënat e asaj nate u shkaktuan dëme materiale në disa nga automjetet e ekspozuara, ndërsa njësitë e forenzikës patën rrethuar vendngjarjen për evidentimin e gëzhojave dhe gjurmëve të tjera.
Në atë kohë, Policia e Kosovës e kishte konfirmuar incidentin përmes raportit zyrtar duke e cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, por pa publikuar identitetin e të dyshuarve apo emrin e biznesit të sulmuar.
Ky nuk është incidenti i vetëm ku përfshihet i dyshuari Adhurim Konjufca gjatë këtij viti. Më 5 janar 2026, ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës pas një tjetër incidenti me armë zjarri në rrugën “Ilaz Kodra” në Prishtinë, ku kishte mbetur i dëmtuar personi me inicialet K. Th.
Në atë rast, gjatë bastisjes në shtëpinë e Konjufcës, policia i kishte gjetur dhe sekuestruar armën me të cilën dyshohej se ishte kryer vepra penale, ndërsa me vendim të prokurorit ai ishte dërguar në ndalim prej 48 orësh.
I arrestuari Adhurim Konjufca tashmë ndodhet sërish në mbajtje dhe prokurori i rastit brenda afateve ligjore pritet të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Kompetente.








