Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar opinionin publik se mbrëmë ka ndërruar jetë një i paraburgosur në QKUK.
Ata kanë njoftuar se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë gjatë ditës së djeshme.
“I paraburgosuri K.K, po mbahej në Burgun e Sigurisë së Larte, ku gjatë ditës së djeshme, kishte shfaqur disa çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje”, thuhet në postimin e tyre.
Njoftimi i plotë:
NJOFTIM NGA SHKK & DSHB
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se mbrëmë, rreth orës 23:20, në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndërruar jetë i paraburgosuri K.K.
I paraburgosuri K.K, po mbahej në Burgun e Sigurisë së Larte, ku gjatë ditës së djeshme, kishte shfaqur disa çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje.
Ai është trajtuar gjatë ditës nga personeli shëndetësor, mirëpo gjendja e tij shëndetësore nuk kishte shënuar përmirësim.
Me qëllim të realizimit të një konsultimi specialistik, mjeku kujdestar ka kërkuar që i burgosuri të dërgohej për trajtim dhe vlerësim të mëtejmë në QKUK.
Fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, ndërsa më pas, rreth orës 18:00, ai është transferuar në QKUK.
Pas pranimit në QKUK, kanë filluar menjëherë procedurat diagnostikuese dhe trajtimi i tij nga stafi mjekësor. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit të ofruar, gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar dhe i njëjti ka ndërruar jetë.
Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa autopsia do të përcaktojë dhe verifikojë shkakun e vdekjes.








