Humbja e parakohshme e ish-banorit të Big Brother VIP Kosova 3 dhe TikTokerit të njohur, Laurent Krasniqi, ka prekur thellë opinionin publik dhe ndjekësit e tij.
Ndërsa dhimbja për këtë ikje të papritur vazhdon të jetë e madhe, motra e tij, Xhen Krasniqi, ka bërë një reagim mjaft prekës në rrjetet sociale, duke ndarë një dedikim emotiv për vëllain e saj të vetëm.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, të shoqëruar me fotografi të tyre, ku shihet krah për krah me Laurentin, Xheni ka shprehur tronditjen dhe pikëllimin që po përjeton familja. Ajo ka treguar se ende e ka të pamundur ta besojë realitetin e hidhur.
“Vllau jem, po ta shkruaj këtë me lot në sy e me një zemër që hala nuk po e beson që ti nuk je më. Sikur ta kisha edhe një herë mundësinë me të pa, me ta ni zërin, me të përqafu e me t’thënë sa shumë të du. Nuk e dita kur të përqafova herën e fundit që ajo do të ishte hera e fundit e jetës time me ty”, ka shkruar ajo.
Më tej, ajo ka shkruar për boshllëkun e madh që Laurenti ka lënë pas, duke e përshkruar atë si një njeri me shpirt të pastër që iku shumë shpejt nga kjo jetë.
Ajo ka vënë në pah faktin se bota humbi një person të mirë që nuk e meritonte të largohej kaq herët, ndërsa sot gjërat e vogla dhe fotografitë e përbashkëta përbëjnë pasurinë më të madhe që i ka mbetur prej tij.
Në pjesën përmbyllëse të mesazhit të saj, Xheni ka premtuar se do ta mbajë gjallë kujtimin e tij në çdo hap të jetës, duke u lutur dhe folur për të çdo ditë.
“Pusho i qetë, vllau jem i vetëm. Nëse dashnia do të mundej me të kthyer, ti do të ishe prapë këtu në krahët e mi. Malli për ty nuk ka me u shu kurrë. Ti nuk je veç një kujtim për mua, ti je një pjesë e zemrës time që vdiq bashkë me ty”, përmbyll ajo shkrimin e saj prekës.








