Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ato e kanë bërë edhe më të qartë arsyen pse ai dhe pesë deputetë të tjerë të LDK-së e kundërshtuan propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për president.
Hoti, përmes një statusi në rrjetet sociale, ka deklaruar se Republika e Kosovës nuk mund të vendoset, siç u shpreh ai, “nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm”.
“Zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës e bënë edhe më të qartë pse ne, gjashtë deputetët e LDK-së, i kemi thënë ‘JO’ propozimit të VV-së për President”, ka shkruar Hoti.
Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si po zhvillohen proceset politike, duke thënë se shteti i Kosovës nuk mund të vihet nën diktatin e një individi.
“Republika e Kosovës nuk mund të vendoset nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm, që nuk ka asnjë ndjeshmëri për sakrificën e brezave mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë”, ka shkruar ai.








