Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se situata politike dhe shkeljet që, sipas tij, kanë ndodhur gjatë muajve të fundit do të trajtohen pas datës 16 shtator.
Gruda tha se prania e deputetëve të PDK-së në seancën e sotme konstituive lidhet me një moment të rëndësishëm për Kosovën, përkatësisht me vendimin e pritshëm në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Ne kemi ardhur sot për shkak se Kosova është para një vendimi historik në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Për hir të kësaj date, ne nuk kemi dashur të mbivendosim konfliktin politik apo dilemat kushtetuese dhe kemi ardhur sot këtu”, tha Gruda.








