Gjykata Themelore në Prishtinë pritet ta shpallë sot aktgjykimin ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Përveç Lekajt, në këtë proces gjyqësor akuzohen edhe ish-këshilltari i tij politik, Eset Berisha, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, si dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik në këtë ministri, Besim Tahiri.
Rasti ndodhet në rigjykim, pasi Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2025, e kishte anuluar aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.
Në gjykimin e parë, Pal Lekaj ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, si dhe me ndalim prej 3 vjetësh e 6 muajsh të ushtrimit të funksioneve në administratën publike.
Eset Berisha ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim dhe me ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për 3 vjet, ndërsa Nebih Shatri dhe Besim Tahiri ishin dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burgim dhe me nga 2 vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike.
Këto dënime janë anuluar nga Apeli dhe nuk përbëjnë vendim përfundimtar, ndërsa sot pritet verdikti i ri i Gjykatës Themelore pas përfundimit të rigjykimit.
Në seancën e fundit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka qëndruar pranë aktakuzës dhe ka kërkuar që Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë të shpallen fajtorë e të dënohen sipas ligjit. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu shqiptimin e dënimeve plotësuese, përkatësisht ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike.
Mbrojtja, në anën tjetër, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë dhe ka kërkuar lirimin e të akuzuarve nga akuza.
Gjatë dhënies së fjalës së fundit, Pal Lekaj ka deklaruar se është i pafajshëm, ndërsa gjatë rigjykimit është mbrojtur në heshtje.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale lidhet me pagesën shtesë prej 53 milionë e 100 mijë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, Prishtinë–Hani i Elezit.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare gjatë trajtimit të marrëveshjes për zgjatjen e afatit të punimeve edhe për 347 ditë.
Prokuroria pretendon se marrëveshja ishte nënshkruar pa ia përcaktuar koston financiare, duke i hapur rrugë kompanisë që fillimisht të kërkonte rreth 63 milionë euro. Pas negociatave, kërkesa ishte zvogëluar në 53 milionë e 100 mijë euro dhe më pas ishte aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës.
Sipas aktakuzës, veprimet e të akuzuarve dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në vlerë prej mbi 38 milionë eurosh, krahasuar me shumën prej rreth 14.7 milionë eurosh që ishte rekomanduar nga kompania mbikëqyrëse “Hill International”.
Pal Lekaj dhe tre të akuzuarit e tjerë konsiderohen të pafajshëm derisa fajëssia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.








