Hykmete Bajrami i është kundërpërgjigjur kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas deklaratave të tij të fundit për zhvillimet brenda partisë.
Bajrami ka kritikuar ashpër Abdixhikun, duke e cilësuar si “humbës të trefishtë” dhe duke e bërë përgjegjës për humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore, si dhe për, siç ka thënë ajo, degradimin dhe përçarjen e partisë.
Ajo ka thënë se kishte zgjedhur të mos fliste publikisht për kryetarin e LDK-së, me qëllim që të ruante partinë, por ka theksuar se këtë herë ka vendosur t’i përgjigjet me argumente.
“Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet dhe ambiciet në LDK”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, Abdixhiku është “i fundit” që mund të flasë për parime, ambicie, shtet e pushtet, duke argumentuar se parimet maten përmes përgjegjësisë.
Bajrami ka rikujtuar humbjet e LDK-së në zgjedhje, duke thënë se Abdixhiku duhej të kishte dhënë dorëheqje pas humbjes së parë, ndërsa pas përsëritjes së rezultateve negative duhej t’i hapte rrugë një udhëheqjeje tjetër.
Ajo ka përmendur edhe zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se pas “një tjetër rekordi të humbjeve”, Abdixhiku duhej të ishte larguar nga udhëheqja e partisë.
Duke iu referuar deklaratës së Abdixhikut se “s’rrotullohet shteti për një ambicie”, Bajrami është pajtuar me këtë qëndrim, por ka thënë se problemi, sipas saj, qëndron te gjendja aktuale në vend.
“Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka renditur një sërë çështjesh që, sipas saj, përbëjnë problemet kryesore të shtetit, duke përmendur tejkalimin e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, funksionimin e 19 ministrive me persona që tashmë kanë marrë mandatin e deputetit, si dhe katër ministri që, sipas saj, nuk figurojnë në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026.
Ajo ka akuzuar gjithashtu për bllokim institucional, shkelje dhe relativizim të normave kushtetuese e ligjore, degradim në arsim, inflacion, përdorim të tenderëve njëburimorë dhe kapje të institucioneve.
Bajrami ka përmendur edhe sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, rrezikun për humbjen e 160 milionë eurove nga Plani i Rritjes dhe, siç e ka vlerësuar ajo, gjendjen e rënduar të politikës së jashtme.
Ajo ka thënë se LDK-ja duhet të mbetet “gardiane e shtetit, e institucioneve dhe e rendit demokratik”, duke bërë thirrje që debati të rikthehet te çështjet e shtetit.
“Pikërisht për këtë arsye, le të flasim për shtetin, por, fillimisht, duhet ta bëjmë dallimin mes shtetit dhe karriges. T’i kthehemi shtetit!”, ka shkruar Bajrami.








