Të tjera detaje janë mësuar lidhur me dinamikën e konfliktit të mëngjesit të sotëm në Shkodër, ku mbeti i vrarë 24-vjeçari Ylber Luli.
Sipas burimeve, konflikti mes 25-vjeçarit Andri Vulaj dhe Ylber Lulit dyshohet se ka nisur në zonën e Gjuhadolit, pas një përplasjeje verbale për një motiv banal, që lidhej me një vështrim mes tyre. Në atë moment, situata nuk ka agravuar në përplasje fizike.
Pak minuta më vonë, sipas të dhënave paraprake, Andri Vulaj ka shkuar pranë banesës së Ylber Lulit, ku është përfshirë në një konflikt fizik me 24-vjeçarin dhe babain e tij, 63-vjeçarin Qamil Luli.
Gjatë përplasjes, sipas dëshmisë paraprake të dhënë nga Vulaj, ai është sulmuar me thikë nga babë e bir dhe ka nxjerrë armën e zjarrit, duke pretenduar se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Një plumb ka prekur në kraharor 24-vjeçarin Ylber Luli, i cili u transportua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Ndërkohë, Andri Vulaj dhe Qamil Luli kanë mbetur të plagosur gjatë konfliktit dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shkodrës ka arrestuar 25-vjeçarin Andri Vulaj, ndërsa në vendngjarje është sekuestruar edhe arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur, shkruan Euronews.al.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive për konfliktin që përfundoi me vrasjen e 24-vjeçarit.








