Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbajtjen e një konvente të madhe të partisë, përmes së cilës, sipas tij, do të duhej të arrihej pajtimi dhe bashkimi i strukturave të LDK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se partia ka nevojë urgjente për një proces të tillë, me qëllim të qartësimit të rrugës që duhet ndjekur në të ardhmen.
Sipas tij, në konventë duhet të përfshihen të gjitha strukturat e partisë, përfshirë anëtarët e Kuvendit Qendror, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin Parlamentar, kryetarët dhe kryesitë e degëve, anëtarët e LDK-së në kuvendet komunale, si dhe Forumet e Gruas dhe Rinisë.
Hoti ka theksuar se kjo konventë duhet të shërbejë si një pikënisje e re për LDK-në dhe të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë partinë drejt zgjedhjeve të ardhshme.
“LDK-ja ka nevojë urgjente për një KONVENTË të madhe, për një PAJTIM të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar Hoti.
Ai ka thënë se rikthimi i besimit brenda partisë është thelbësor për unitetin dhe punën ekipore.
“Unë angazhohem për këtë KONVENTË të PAJTIMIT të madh. Vetëm një LDK e bashkuar mund të fitojë besimin e qytetarëve”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka përmbledhur mesazhin e tij me katër fjalë: “Pajtim – Bashkim – Besim – Fitore”.








