Shkruan gazetari Nehat Shaqiri
Dështimi i arsimit në Kosovë nuk ka filluar sot. Problemi është ndërtuar ndër vite, përmes politikave të gabuara, vendimeve të pakontrolluara dhe një sistemi që, në vend se ta vendoste fëmijën dhe cilësinë e mësimit në qendër, shpesh është fokusuar te projektet, tenderët dhe shpenzimet.
Një nga problemet më të mëdha është edhe mënyra se si është konceptuar përdorimi i teksteve shkollore. Për shumë lëndë, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, nxënësit janë përballur me një numër të madh librash dhe materialesh mësimore. Rezultati? Çanta të rënda, libra me qindra faqe dhe gjithnjë e më pak kohë për të mësuar në mënyrë të kuptueshme.
Një fëmijë i shkollës fillore, kur përballet me rreth 20-25 libra e fletore dhe një sërë detyrash, natyrshëm mund ta humbë interesimin për mësimin. Aq më tepër kur një pjesë e detyrave të shtëpisë nuk lidhen drejtpërdrejt me atë që është shpjeguar në klasë, por kërkojnë hulumtime në internet.
A është normale që një fëmijë 10-vjeçar të obligohet të hyjë në internet për të kërkuar përgjigje për detyrat e shtëpisë? A nuk duhet që shkolla t’i japë atij bazën e dijes dhe ta mësojë të mendojë, të lexojë e të kuptojë, para se ta ngarkojë me kërkime të tilla?
Këtu lind edhe pyetja më e madhe: ku kanë shkuar paratë e arsimit dhe çfarë rezultati kanë prodhuar ato investime?
Qeveritë e kaluara kanë shpenzuar miliona euro për tekstet shkollore dhe materialet mësimore. Nëse ka pasur keqpërdorime, konflikt interesi apo përfitime të paligjshme në këto procese, kjo duhet të jetë çështje për hetim serioz nga institucionet e drejtësisë.
Por përgjegjësia nuk mund të ndalet vetëm te qeveritë e kaluara. Edhe Qeveria Kurti dhe ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duhet të japin përgjigje për politikat dhe shpenzimet e bëra në këtë sektor.
Një Prokurori efikase nuk do të duhej të shikonte vetëm një periudhë politike. Duhet të hetohet zinxhiri i plotë: nga fillimi i këtyre politikave, mënyra e hartimit dhe përzgjedhjes së teksteve, tenderët dhe kontratat, deri te miliona eurot e shpenzuara ndër vite.
Sepse pyetja është e thjeshtë; sa miliona janë shpenzuar dhe çfarë kemi marrë në këmbim?
Nëse pas gjithë këtyre shpenzimeve rezultatet e nxënësve vazhdojnë të jenë shqetësuese, atëherë dikush duhet të japë përgjegjësi.
Pse të mos marrim shembuj nga vendet evropiane? Pse të mos ndërtojmë një sistem ku fëmija mëson në shkollë, ku detyrat e shtëpisë janë të arsyeshme dhe ku libri shërben për ta ndihmuar nxënësin, e jo për ta ngarkuar atë?
Arsimi nuk është vend për eksperimente, interesa politike apo biznesore. Arsimi është investimi më i madh që një shtet mund t’i bëjë të ardhmes së tij.
Dhe kur një fëmijë del nga shkolla i lodhur nga dhjetëra libra, fletore dhe detyra, por jo domosdoshmërisht më i ditur, atëherë duhet të ndalemi dhe të pyesim ku po gabojmë?
Kjo nuk është thjesht krizë e arsimit. Është një alarm për të ardhmen e fëmijëve tanë.








