Rasti i sulmit ndaj kapitenit të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, pas incidentit te Prishtina Mall, ka marrë një kthesë tjetër. Përveç hetimeve ndaj dy personave që dyshohen për sulmin, tashmë është hapur rast edhe ndaj një pjesëtari të Njësisë për Reagim të Shpejtë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj njërit prej të shoqëruarve.
Burimet bëjnë të ditur se zyrtari policor ndaj të cilit janë ngritur dyshimet është Edon Maxhuni, pjesëtar i NJRSh-së.
Dyshimet kanë lindur pas shoqërimit në Polici të personave të përfshirë në incidentin që kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje për parking te Prishtina Mall dhe kishte eskaluar deri në sulmin e dyshuar ndaj kapitenit Ahmeti.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, njëri prej të dyshuarve për sulmin ndaj Ahmetit pretendon se, pas shoqërimit, ndaj tij është përdorur dhunë nga Maxhuni.
Për lëndimet e pretenduara ekziston edhe raport mjekësor, i cili pritet të administrohet si pjesë e provave gjatë trajtimit të rastit.
Zhvillimet e reja kanë bërë që në rast të përfshihet drejtpërdrejt edhe Prokurori i Shtetit.
Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se është dhënë urdhër që ndaj Edon Maxhunit të hapet rast nën dyshimin për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu që të intervistohen dëshmitarët e tjerë që kanë qenë të pranishëm apo kanë njohuri për atë që ka ndodhur pas shoqërimit të të dyshuarve, në mënyrë që të sqarohet dinamika e plotë e ngjarjes.
Në trajtimin e rastit është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa hetimet tashmë po zhvillohen në dy drejtime: për sulmin e dyshuar ndaj kapitenit Besart Ahmeti dhe, veçmas, për dyshimet për keqtrajtim nga pjesëtari i NJRSh-së.
Incidenti fillestar kishte ndodhur te Prishtina Mall, pas një mosmarrëveshjeje për parking. Dy personat e dyshuar për sulmin ndaj kapitenit Ahmeti janë shoqëruar në Polici, ndërsa u raportua ekskluzivisht se ata janë djemtë e një zyrtari policor.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse ndaj personit të shoqëruar është përdorur forcë dhe, nëse po, në çfarë rrethanash dhe nëse përdorimi i saj ka qenë i ligjshëm.








