Rriqra Hyalomma, e njohur si “rriqra gjuetare”, po përhapet në pjesë të reja të Evropës, ndërsa Kosova prej vitesh është një nga zonat ku ajo monitorohet nga afër për shkak të rrezikut të përhapjes së etheve hemorragjike Krime-Kongo.
Ndryshe nga shumë lloje të tjera të rriqrave, Hyalomma nuk qëndron e fshehur në bar duke pritur që kafsha apo njeriu t’i afrohet. Ajo mund ta dallojë prenë deri në 200 metra larg dhe më pas ta ndjekë duke vrapuar.
Rriqra është hasur tradicionalisht në Afrikë, Azi dhe Evropën Jugore, por ndryshimet klimatike kanë krijuar kushte që ajo të mbijetojë edhe më në veri. Ajo tashmë është evidentuar në Gjermani dhe në disa vende të Evropës Lindore, ndërsa së fundmi është zbuluar edhe në Francë.
Rreziku që bart
Shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me pickimin e rriqrës, por me faktin se Hyalomma mund të jetë bartëse e virusit që shkakton ethet hemorragjike Krime-Kongo, një sëmundje që në raste të rënda mund të shkaktojë gjakderdhje, dëmtime të organeve dhe vdekje.
Në Kosovë, kjo sëmundje ka qenë prej kohësh objekt studimi.
Veterineri kosovar Kurtesh Sherifi u interesua për të që në vitin 2005, kur gjatë studimeve në Berlin lexoi për rastet e regjistruara në Kosovë. Në atë kohë, 11 persona ishin infektuar, ndërsa pesë prej tyre kishin vdekur.
Më vonë, Sherifi nisi bashkëpunimin me shkencëtarë gjermanë nga Instituti Bernhard Nocht për Mjekësinë Tropikale në Hamburg, duke përfshirë virologe që merren me viruse me rrezik të lartë, shkruan DW, përcjell Sinjali.
Bashkëpunimi mes dy vendeve ka përfshirë monitorimin e rriqrave, mbledhjen e mijëra ekzemplarëve, testimin për praninë e virusit dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për mënyrat e mbrojtjes.
Fermerët në rrezik
Një nga grupet më të ekspozuara janë fermerët.
Rreziku nuk vjen vetëm nga pickimi i rriqrës. Sipas studiuesve, njerëzit mund të infektohen edhe gjatë heqjes së rriqrave nga kafshët, sidomos kur kjo bëhet me duar të zhveshura.
Nëse gjaku i një kafshe të infektuar bie në kontakt me një plagë të vogël në dorën e njeriut, virusi mund të transmetohet.
Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë përdorimin e mjeteve mbrojtëse gjatë largimit të rriqrave, ndërsa si masa parandaluese këshillohen edhe përdorimi i preparateve kundër rriqrave, pantallonat e gjata dhe këpucët e mbyllura.
Rastet në Kosovë kanë rënë ndjeshëm
Pavarësisht rrezikut, puna e studiuesve duket se ka dhënë rezultate.
Në dekadën e fundit, në Kosovë janë regjistruar vetëm pesë raste të rënda, krahasuar me rreth 100 raste në dekadën paraprake.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rreziku nuk është zhdukur.
Jo çdo Hyalomma bart virusin dhe shumica e njerëzve që pickohen nga kjo rriqër nuk sëmuren. Por përhapja e saj në zona të reja të Evropës po monitorohet me kujdes.
Sipas studiuesve, Hyalomma dhe virusi që ajo mund të bartë mund të vazhdojnë të përhapen në Evropë. Për këtë arsye, ekspertët kosovarë dhe gjermanë po ndajnë përvojën e tyre edhe me vende si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Në rastet e rënda, ethet hemorragjike Krime-Kongo mund të shkaktojnë temperaturë, dhimbje trupi dhe kokëdhimbje, ndërsa më vonë mund të shfaqen gjakderdhje nga lëkura, hunda dhe mishrat e dhëmbëve, si dhe gjakderdhje të brendshme dhe dështim të organeve.
Aktualisht nuk ekziston një vaksinë e disponueshme gjerësisht dhe trajtimi specifik mbetet i kufizuar. Për këtë arsye, parandalimi dhe shmangia e kontaktit me rriqrat mbeten mbrojtja kryesore.








