Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për promovimin e veprës “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, të autorëve Skënder Asani dhe Albert Ramaj.
Promovimi u mbajt në 29-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës dhe në përvjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku.
Kurti deklaroi se, edhe tri dekada pas vdekjes së saj, jeta dhe vepra e Nënë Terezës vazhdojnë të ofrojnë mësime për dashurinë, paqen, humanizmin dhe bamirësinë.
“Shën Nënë Tereza ishte një grua e madhe e dalë nga një komb relativisht i vogël, që ia kushtoi jetën njerëzimit dhe u bë simbol universal i humanizmit, solidaritetit dhe dashurisë për tjetrin”, shkroi Kurti.
Sipas tij, vepra përmban dëshmi, dokumente, letra dhe fotografi që e paraqesin rrugëtimin e Gonxhe Bojaxhiut nga familja e saj shqiptare në Shkup deri në shndërrimin e saj në një figurë universale.
“Siç e kam theksuar edhe në parathënie: ajo u shndërrua në urë, jo në mur”, shtoi ai.
Kurti i falënderoi autorët për kontributin, duke thënë se vepra pasuron kujtesën dhe dokumentimin e jetës së një prej figurave më të ndritura që shqiptarët i kanë dhuruar botës.








