Masakër e kryer nga shteti/ PSRK-ja sjell prova direkte se si Serbia si shtet e kreu krimin në Prekaz

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë ndaj 35 të pandehurve, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, lidhur me sulmin e forcave serbe në mars të vitit 1998 ndaj lagjes Jasharaj në Prekaz të Poshtëm.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit janë:

Jovica Stanišić, Vlastimir Đorđević, Sreten Lukić, Goran Radosavljević, Milorad Ulemek, Živko Trajković, Zoran Simović, Spasoje Vulević, Branko Čurčić, Želimir Mrdalj, Radislav Stalević, Vlado Todorović, Branko Prljević, Radoslav Mitrović, Milivoje Stojilković, Srđan Ilić, Nenad Stojković, Božidar Filić, Žarko Braković, Čedomir Božović, Žarko Rokvić, Dušan Ivanović, Staleta Mojsilović, Vučina Janičijević, Milan Lečić, Radomir Čolić, Srđan Perović, Nenad Milačić, Veljko Radenović, Dragan Živanović, Obrad Stevanović, Branko Đurić, Ljubinko Cvetić, Ilija Trajković dhe Milenko Božović.

Çka thuhet në aktakuzë?

Prokuroria pretendon se gjatë vitit 1998, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, përmes një Shtabi Ndërsektorial, kishte hartuar planin për sulmin ndaj lagjes Jasharaj.

Sipas aktakuzës, ky shtab përbëhej nga përfaqësues të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Departamentit të Sigurisë Shtetërore dhe udhëhiqej nga Jovica Stanišić, ndërsa zëvendës i tij ishte Vlastimir Đorđević.

Plani, sipas Prokurorisë, ishte bashkërenduar me Shtabin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kosovën, me seli në Prishtinë, i cili gjatë operacionit në Prekaz udhëhiqej nga Sreten Lukić.

Aktakuza pretendon se në kuadër të përgatitjeve, lagjja Jasharaj ishte mbajtur nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm që nga fillimi i janarit 1998.

Në këtë operacion, sipas Prokurorisë, ishin angazhuar Njësia për Operacione Speciale, Njësitë Speciale Antiterroriste dhe Njësia e Posaçme e Policisë.

Forcat ishin përforcuar para sulmit

Sipas aktakuzës  më 3 mars 1998 kishte filluar përforcimi i kapaciteteve njerëzore dhe ushtarake në kompleksin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj.

Aty, sipas Prokurorisë, ishin sjellë automjete të blinduara, tanke, minahedhës, armë kundërajrore dhe armatim tjetër i rëndë.

Më 4 mars, sipas aktakuzës, ishte formuar edhe shtabi për realizimin e sulmit, i cili udhëhiqej dhe koordinohej nga Goran Radosavljević, i njohur me nofkën “Guri”.

Në këtë shtab, sipas Prokurorisë, ishin përcaktuar detyrat për njësitë e ndryshme policore dhe pozicionet nga të cilat do të sulmohej lagjja Jasharaj.

Si nisi sulmi nisi më 5 mars

Aktakuza thotë se më 5 mars 1998, rreth orës 06:00, pa paralajmërim paraprak, kishte nisur sulmi i armatosur ndaj lagjes Jasharaj.

Sipas Prokurorisë, sulmi kishte filluar me përdorimin e armatimit të rëndë, përfshirë tanke, mjete të blinduara dhe armë kundërajrore.

Prokuroria pretendon se objektivi i sulmit nuk ishte kufizuar vetëm te pjesëtarët e armatosur të UÇK-së, por se ishin goditur edhe objekte civile ku ndodheshin gra, fëmijë dhe të moshuar.

Vrasja e civilëve

Në aktakuzë përshkruhen një varg rastesh të vrasjes së civilëve gjatë tri ditëve të sulmit.

Sipas Prokurorisë, më 5 mars 1998, gjatë granatimit të shtëpisë së Halit Jasharit, ishin vrarë Blerim Jashari, 5 vjeç, Bujar Jashari, 10 vjeç, Avdullah Jashari, 15 vjeç, Hanife Jashari, 17 vjeç, si dhe Bahtije, Sabrije, Elheme dhe Mihrije Jashari.

Po atë ditë, sipas aktakuzës, ishte goditur edhe shtëpia e Hamit Jasharit, ku ishin vrarë civilët Smajl Bazaj dhe Fatime Bazaj.

Prokuroria përmend edhe vrasjen e Hamide Jasharit, e cila, sipas aktakuzës, ishte vrarë gjatë datave 5 dhe 6 mars.

Më 6 mars, sipas aktakuzës, gjatë granatimit të shtëpive të Sadik dhe Qerim Jasharit, ishin vrarë Afie Jashari, Elfie Jashari, Fatime Jashari dhe Hajrije Jashari.

Sulmi i 7 marsit dhe vrasja e fëmijëve

Një pjesë e veçantë e aktakuzës i kushtohet sulmit të 7 marsit 1998 ndaj shtëpive të Shaban Jasharit.

Sipas Prokurorisë, nga një predhë tanku që kishte goditur një dhomë ku ishin strehuar anëtarë të familjes Jashari, ishin vrarë Igballe Jashari, 12 vjeçare, Valdete Jashari, 14 vjeçare, Igball Jashari, 14 vjeçar, Lirije Jashari, 14 vjeçare, Afete Jashari, 17 vjeçare dhe Selvete Jashari.

Sipas aktakuzës, nga goditja e parë kishin mbetur të plagosur edhe Blerina, Fatime, Kushtrim, Blerim dhe Hidajete Jashari.

Prokuroria pretendon se pas një intervali të shkurtër ishte goditur sërish e njëjta dhomë me predhë tanku, duke shkaktuar vdekjen e Fatime Jasharit, 8 vjeçare dhe Blerim Jasharit, 12 vjeçar.

Më pas, sipas aktakuzës, pjesëtarë të forcave speciale policore kishin hedhur granata dore në dhomë dhe kishin shtënë me armë automatike ndaj personave të plagosur.

Si pasojë, sipas Prokurorisë, ishin vrarë Blerina Jashari, 7 vjeçare, Kushtrim Jashari, 13 vjeçar dhe Hidajete Jashari.

E mbijetuara Besarta Jashari, sipas aktakuzës, ishte marrë peng dhe ishte dërguar në kompleksin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj.

Civilët u morën peng dhe u torturuan, sipas aktakuzës

Prokuroria pretendon se gjatë operacionit ishin marrë peng edhe një numër civilësh.

Më 5 mars, sipas aktakuzës, Milazim Jashari dhe Muhamet Jashari ishin dërguar në Stacionin Policor në Skenderaj, ku pretendohet se ishin mbajtur për tri ditë dhe ishin torturuar fizikisht e psikologjikisht.

Ndërsa më 7 mars, sipas aktakuzës, në shtëpinë e Sefer Jasharit ishin marrë peng disa civilë, përfshirë fëmijë dhe gra.

Prokuroria pretendon se ata ishin dërguar në oborrin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj, ku ishin mbajtur nën kërcënime, keqtrajtim dhe kushte të rënda deri në mbrëmje.

Sipas aktakuzës, disa prej civilëve më pas ishin dërguar në stacionet policore në Skenderaj dhe Mitrovicë, ku pretendohet se kishte vazhduar keqtrajtimi fizik.

Prokuroria akuzon për shkatërrim të objekteve civile

Në fund, aktakuza pretendon se gjatë sulmeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998, përveç vrasjes së civilëve, ishin shkatërruar dhe dëmtuar në masë të gjerë shtëpi, objekte dhe infrastrukturë civile në lagjen Jasharaj.

Sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e Konventave të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Të gjithë të pandehurit, sipas aktakuzës, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

Pretendimet e mësipërme janë pjesë e aktakuzës dhe duhet të vërtetohen në procedurën gjyqësore.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit