Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Sh.B për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim në tentativë, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Gazeta kishte raportuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Shpend Bobaj.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Bobaj, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kishte tentuar ta vinte në lajthim të dëmtuarin A.H., duke i ofruar për shitje një pronë në Prishtinë në vlerën prej 800 mijë eurosh.
Prona në fjalë ndodhej nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndërsa i akuzuari paraprakisht kishte falsifikuar dokumentet përmes akteve noteriale.
Rasti ishte zbuluar pas verifikimit të dokumentacionit nga noterja V.A., e cila kishte konstatuar se autorizimi në emër të Shpend Bobajt ishte i falsifikuar. Si rezultat, mashtrimi kishte mbetur në tentativë.
Për këto veprime, Gjykata e ka shpallur fajtor Bobajn për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi” në tentativë, duke i shqiptuar dënim unik prej gjashtë vjetësh burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë eurosh.
Bobaj është obliguar që të paguajë edhe 200 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 20 euro për Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, brenda 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e përhershëm të dokumentit të falsifikuar, ndërsa Shpend Bobaj do të mbrohet në liri deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
I dëmtuari është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest të rregullt juridiko-civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë.








