Një person është arrestuar për kërcënim ndaj kryeministrit, Albin Kurti.
I arrestuari është Gazmend Halimi, 57-vjeçar, i cili dyshohet se përmes rrjetit social Facebook ka publikuar mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit Kurti.
Rasti është evidentuar me 2 shtator, rreth ores 15:45, pasi Sektori per Hetimin e Krimeve te Renda ka pranuar informacione lidhur me disa postime.
Sipas informacioneve të Sinjalit, Halimi dyshohet se kishte shpërndarë dy video në të cilat paraqitej kryeministri Kurti, të shoqëruara me mesazhe të rënda kërcënuese.
Në njërën prej tyre, dyshohet se kishte shkruar: “Kti duhet me ja dhan plumin në ballë”, ndërsa në tjetrën: “Këtë tradhtar asht dasht me vra në Kuvend”.
Rasti ka marrë një dimension tjetër kur hetuesit e Krimeve të Rënda kanë kontaktuar të dyshuarin përmes telefonit.
Gjatë këtij komunikimi, Halimi dyshohet se ka kanosur edhe vetë hetuesit policorë që po merreshin me rastin.
Pas këtij zhvillimi, në koordinim me Prokurorinë Speciale, hetuesit e Krimeve të Rënda, të asistuar edhe nga Njësia Speciale, kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin.
Halimi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Speciale është dërguar në ndalim për 48 orë.
Rasti është duke u trajtuar nën dyshimet për “Kanosje dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.








